Tashmë numërimi mbrapsh ka filluar… kanë mbetur vetëm 2 ditë përpara se Amerika të zgjedhë presidentin e ri mes Kamala Harris dhe Donald Trump. Republikani gjatë një tubimi elektoral në Karolinën e Veriut tha se 5 nëntori “do të jetë një ditë çlirimi për Amerikën” dhe pretendoi se Shtetet e Bashkuara janë shndërruar në një “tokë të pushtuar”.
Demokratja u shfaq në një program humori, por gjithashtu bëri një ndalesë për fushatë në shtetin kyç të Karolinës së Veriut.
“Nëse ai zgjidhet, Donald Trump që prej ditës së parë do të ulet në atë zyrë duke parë listën e tij të armiqve. Por nëse unë zgjidhem, do të punoj për ju në përmbushjen e listës sime të premtimeve. Ju do të jeni fokusi im çdo ditë të presidencës. Do t’i ul taksat për shtresën e mesme, këtu flasim për 100 milionë amerikanë. Do të zbatoj ndalimin e parë federal për rritjen e çmimeve të korporatave në shportën ushqimore.”
Më përpara, Harris u drejtoi një letër shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kandidatja demokrate përmend atë që e konsideron një kontribut të madh të komunitetit shqiptar për amerikën, por edhe mbështetjen që i dha Uashingtoni pavarësisë së Kosovës.
“Pjesëmarrja e shqiptaro-amerikanëve në demokracinë tonë është më thelbësore se kurrë. Së bashku mund t’i japim formë të ardhmes që reflekton vlerat dhe aspiratat e përbashkëta”, shkruhet në letrën e Harris.
Demokratja ka surprizuar në shtetin e Iowa-s, pasi në sondazhin e fundit rezulton në epërsi të konsiderueshme përballë Republikanit, konkretisht Harris zotëron 47% të preferencave dhe Trump 44 për qind.
Ndërkohë, deri më tani kanë votuar më shumë se 75 milionë amerikanë.