Kockat mbajnë trupin tonë ndërsa muskujt sigurojnë skeletin duke krijuar një kombinim të pandashëm.
Kujdesi për shëndetin e kockave duhet të nisë që në vegjëli, me frymëmarrjen e parë të bebit.
Mjekja reumatologe Ergeta Ktona rendit në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan disa këshilla që duhet të ndjekim për të pasur kocka të shëndetshme.
Vitamina D dhe kalciumi janë elementë kryesorë, por nuk duhet harruar ushqimi i shëndetshëm, ekspozimi ndaj diellit dhe aktiviteti fizik për të ndihmuar shëndetin e mirë të kockave.
Ergeta Ktona: Kocka duhet të vlerësohet që në momentin që fëmija lind. Që në ato momente, të gjitha nënat dhe baballarët e rinj e dinë shumë mirë që fëmijës i jepet vitaminë D me pika dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Sa herë e çoni te pediatri, ju e shihni që ata i shohin fontanelën, i shohin zonën në pjesën e sipërme të kokës nëse ka filluar të mbyllet apo jo dhe nëse është mbyllur në kohën e duhur. Të pasurit e një diete ushqimore të pasur me vitaminë D dhe kalcium, frekuentimi i detit, plazhit që në fëmijëri, që në moshat pediatrike, mbi 30 ditë në vit duhet të ekspozohet me plazhin një fëmijë, me detin.
Katerina Trungu: Për ajrin apo për kontaktin me ujin?
Ergeta Ktona: Për diellin, për notin, për ajrin dhe për sistemin nervor, për të gjitha. Nga ana tjetër, diferenca ndërmjet llojit të dritës. Ne ekspozohemi shumë në dritë elekrike. Në fakt ajo çfarë duhet të bëjmë është të ekspozohemi në dritë dielli. Nga ana tjetër, produktet ushqimore që ne konsumojmë, janë të varfra në vitaminë D dhe kalcium. Aktiviteti fizik që fëmija duhet të fillojë që në moshë të vogël, nuk është se forcon vetëm muskujt, një lëvizje nuk ndikon vetëm mbi qelizën muskulare, lëvizja ndikon edhe në qelizën kockore. Kjo e bën që ajo të jetë më e fortë në të ardhmen. Një dietë e balancuar ushqimore, një dietë me balancë të proteinave, karbohidrateve dhe ynydyrnave, një kujdes i shtimit të peshës, një menaxhim i peshës, të bërit pjesë e jetës një aktiviteti fizik dhe sportiv, të bërit kur është e mundur, ne jo vetëm që nuk i ndahemi makinës, ne s’përdorim as transport publik, atë që kemi nuk e përdorim aq sa duhet. Kur një zonjë fillon të realizojë shtatzëninë, duhet të fillojë e të marrë të gjitha masat që atë pjesë të kalciumit dhe vitaminës D që ia jep fëmijës, ta zëvendësojë te vetja.