Siç ishte paralajmëruar, qytetarët kanë nisur në orën 17:00 bllokimin e rrugëve.
Gazetarja Anila Sefa ka siguruar pamjet nga rrethrrotullimi i Levanit. Makinat dhe protestuesit u nisën drejt rrethrrotullimit kryesor duke e bllokuar.
“Për atë jemi. Mbarë e mirë e gëzuar”, tha një qytetar.
Pjesëmarrës në aksionin e opozitës në këtë aks është edhe drejtuesi politik i PD për qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Shehu tha se askush s’do të guxojë të bllokojë protestuesit, sa kohë që është e drejta e tyre të shprehin pakënaqësitë ndaj këtij regjimi.
Pjesë nga fjala e deputetit Tritan Shehu:
“Kjo protestë është demonstrim i pakënaqësisë së qytetarëve ndaj këtij regjimi, varfërisë, situatës ku është vendi. Në atë që lideri i opozitës mbahet nën arrest. Është një protestë që shpreh revoltë.
Jemi në Levan, aty ku grumbullohen shumë qarqe, për të shprehur pakënaqësinë e thellë përmes mosbindjes civile, duke krijuar paralizë të trafikut, njëjtë si në vendet e tjera që ka lajmëruar opozita.
Askush ‘do të guxojë të bllokojë protestuesit, ata janë të lirë të protestojnë e të shprehin pakënaqësitë dhe janë konform ligjeve. Protestuesit nuk tërhiqen, janë të vendosur, të sigurt në realizimin e qëllimit të kësaj proteste”, tha Shehu.