Kryedemokrati Sali Berisha ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e protestës së opozitës të hënën e 7 Tetorit në orën 18:00 me marshim në kryeqytet.
Gjatë fjalës së tij, në një konferencë për mediat, Berisha ka thënë se protesta bëhet për zgjedhje të drejta kundër dhunës ndaj opozitës dhe arrestimeve politike, vjedhjeve dhe për një qeveri teknike.
Për Berishën, kjo protestë buron nga idealet dhe ndërgjegjja e çdo qytetari shqiptar që e do kombin shqiptar.
Sali Berisha: Përsëris thirrjen time dhe të PD për çdo demokrat. Thirrja ime është: Ditën e hënë, në orën 18:00, të gjithë marshim në Tiranë për të drejtat tona më themelore për një qeveri teknike dhe zgjedhje të drejta kundër dhunës ndaj opozitës dhe arrestimeve politike, kundër vjedhjeve të pashembullta në historinë e këtij vendi.
Kjo protestë është protestë që buron nga idealet dhe ndërgjegjia e çdo qytetari shqiptar, por edhe çdo patrioti që e do kombin shqiptar dhe Shqipërinë. Dita e hënë, ora 18:00 është radha jonë, e guximit tonë, e idealeve tona, është radha e fitores tonë. Ju ftoj nga të katër anët e vendit të bashkohemi për zgjedhje të lira, qeveri teknike, një Shqipëri pa arrestime politike.
Berisha shprehet se me këtë protestë, qytetarët i tregojnë regjimit që janë zotër të këtij vendi.
Sali Berisha: Skenarin e saktë të protesës do e merrni vesh ditën e hënë në orën 18:00. Është konceptuar si një protestë në të cilën qytetarët i tregojnë regjimit që janë zotër të këtij vendi. Është konceptuar si një protestë në të cilën qytetarët i tregojnë regjimit që janë zotër të këtij vendi. Ditën e hënë, fjalën e kanë qytetarët, ato janë zotët e Tiranës. Qytetarët do shprehin revoltën e tyre më të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Mjerë ai që provokon qytetarët dhe zemërimin e tyre. Ky është mesazhi im për çdo provokator.