Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën me gazetarët u shpreh se mosbindja civile do të jetë një aksion kombëtar ku do të përcaktohen të gjitha masat për realizimin e qëllimit që është krijimin e qeverisë teknike.
Berisha theksoi se Partia Demokratike nga data 6 Tetor do të kalojë në sulm për një betejë të pandalshme.
Sali Berisha: Së pari do të jetë padiskutim protestë kombëtare. Kjo jashtë çdo dyshimi. Së dyti, do të jetë aksion kombëtar. Po përcaktohen të gjitha masat të cilat synojnë ti përgjigjen në shkallë kombëtare aktit brutal të mafias Rama-Xhafa dhe fillimit të betejës tonë, e cila ishte 100% e programuar dhe planifikuar për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
Deputetët e opozitës do të jenë në udhëheqje të protestës, revoltës dhe mosbindjes civile në çdo vend, përfshirë dhe sallën e parlamentit, aty ku të lipset dhe ti kërkojë nevoja, ku të japin më shumë në këtë betejë. Për deputetë, drejtuesit e PD, ka vetëm një objektiv dhe moto, betejë, betejë dhe vetëm betejë.
Partia Demokratike nga data 6 kalon në sulm, në një betejë të pandalshme. Përqëndron të gjithë potencialin e saj në sulmin ndaj narkokraturës dhe për qeveri teknike. Mosbindja civile është një univers masash të përshkruara me hollësinë manual të mosbidnjes civile. Do të përdoren të gjitha ato masa deri në realizimin e qëllimit të plotë, krijimin e qeverisë teknike.