Grupi Parlamentar i PD-së, përfaqësuar nga deputetja Jorida Tabaku dhe kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, kanë ndërmarrë një iniciativë ligjore për rimbursimin e taksave të paguara padrejtësisht nga profesionistët e lirë.
Përmes një video në rrjete sociale, Tabaku kritikon qeverinë për mosveprim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Ky është propozimi ligjor që bashkë me z. Bardhi, po dorëzojmë për rimbursimin e çdo qindarke të paguar nga profesionistët e lirë.
Nëse një qytetar apo biznes do të ishte debitor ndaj qeverisë, ajo do të përdorte të gjithë forcën e shtetit për ta marrë borxhin. Sot, kur është radha e qeverisë t’u kthejë paratë qytetarëve, ajo heziton”, tha Tabaku.
Ndërkohë nga ana tjetër, Bardhi theksoi rëndësinë e mbrojtjes së profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme si shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare.
“Ne jemi të vendosur të qëndrojmë në krah të tyre dhe të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend”, deklaroi Bardhi.
Pritet që propozimi ligjor të diskutohet në Kuvend, ku PD do të kërkojë mbështetjen e deputetëve për miratimin e tij.