Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka zhvilluar një takim me strukturat në Lushnje.
Gjatë këtij takimi, Bardhi ka thënë se 12 vjet kanë mjaftuar për të kuptuar nëse një qeveri punon për veten apo për qytetarët.
Ai ka theksuar se është e provuar se qeveria e Edi Ramës po pasuron veten dhe po varfëron shqiptarët.
“Në Lushnje ku vijuam takimin prezantues me strukturat drejtuese të degës, ritheksova se qytetarët e ndershëm të Shqipërisë i kanë sytë nga Partia Demokratike dhe opozita.
Është në dorën tonë të fitojmë besimin e tyre dhe të bëjmë realitet ndryshimin e shumëpritur. Gjeta si gjithmonë nga strukturat drejtuese të Degës gadishmërinë për të bërë më të mirën, të gjithë sëbashku, gjatë këtij rrugëtimi transformues për Lushnjen dhe Shqipërinë.
12 vjet janë mjaftueshëm për të kuptuar nëse një qeveri punon për veten apo për qytetarët. Tashmë është e provuar se qeveria e Edi Ramës po pasuron veten dhe po varfëron shqiptarët!
Mjafton të shohim vetëm sjelljen e Edi Ramës ndaj sektorit të bujqësisë, që është e vetmja mundësi jetese edhe për mijëra familje në Bashkinë Lushnje, për të vërtetuar nevojën ulëritëse për ndryshim. Një Qeveri që ka braktisur qytetarin e zakonshëm, duhet braktisur përgjithmonë!“, tha Bardhi.