Në Tiranë vijon puna për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, i projektuar nga arkitekti me famë botërore, Bjarke Ingels dhe që pritet të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar.
“Kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar ka hyrë në një fazë të re që mundëson tanimë një ritëm më të shpejtë, për t’i dhënë jetë projektit të arkitektit danez, Bjarke Ingels dhe studios së tij prestigjoze BIG, duke i shtuar Tiranës jo vetëm teatrin e munguar të standarteve europiane, po edhe një tjetër xhevahir të arkitekturës bashkëkohore europiane”, shkruan Rama.
Teatri i ri do të ketë një hapësirë prej 750 metra katror auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila.
Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër.
Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun.