Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, është shprehur se për të rritur sigurinë e nxënëseve në shkolla është rritur numri i oficerëve të sigurisë.
Manastirliu u shpreh se fëmijët përballen me rreziqe si ngacmime, agresor e dhunë, ndërsa theksoi se “janë bërë përpjekje për të krijuar mburojën e sigurisë në shkolla”.
Ministrja deklaroi se me buxhetin e vitit 2025 do të rritet akoma më shumë numri i punonjësve të sigurisë në shkolla, si edhe do të fuqizohet rrjeti i parandalimit dhe sinjalizimit të fenomeneve të padëshiruara.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm për rreziqet që përballen fëmijët tanë, ngacmime, agresioni dhe dhuna, sigurisht edhe ajo online, bullizmi. Fenomene që janë shtuar nga përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Mendojmë se përpjekjet janë bërë për të krijuar mburojën e sigurisë në shkolla, kemi shtuar numrin e oficerëve të sigurisë në shkolla çdo vit.
Kemi jo pak, por armatë të oficerëve të sigurisë në shkolla, 240 të cilët në bashkëpunim të ngushtë me mësuesit, me komunitetin, bordin e prindërve, po bëjnë një punë të lavdërueshme. Është e rëndësishme të fuqizojmë rolin e tyre. Paga e tyre u rrit me afro 20% duke garantuar të jenë më të motivuar dhe figura e tyre të ketë më shumë autoritet në shkolla.
Jemi duke punuar për një trajtim për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e fëmijët. Oficerët e sigurisë nuk janë ruajtësit e rendit, por kanë mision për të siguruar ambiente të paqtë, për të informuar në kohë mësuesit e prindërit, për të bashkëvepruar me punonjësit sociale dhe psikologët brenda shkollës.
Fokusi i tyre është parandalimi, si të afrohemi me nxënësit, si të kuptojmë që fëmija ka përjetuar një ngjarje të padëshirueshme, që mund të përkthehet në sjellje agresiviteti, përdorimin e alkoolit, drogërave, duhanit, janë fenomene prezentë. Nëse duam t’i eliminojmë, duhet ti pranojmë që ekzistojnë. Ky sistem i sigurisë së fëmijëve do të fuqizohet.
Me buxhetin e vitit 2025 do të rrisim edhe më shumë numrin e punonjësve të sigurisë në shkolla, do të fuqizojmë më shumë rrjetin e parandalimit dhe sinjalizimit të fenomeneve të padëshiruara”,-tha Manastirliu.