Platforma e mediave sociale X ka bërë një ndryshim në programin e saj të Inteligjencës Artificiale, pasi zyrtarët më të lartë zgjedhorë të pesë shteteve, paralajmëruan se përmes tij po përhapeshin dezinformata zgjedhore.
Sekretarët e Shtetit të Miçiganit, Minesotës, Nju Meksikos, Pensilvanisë dhe Uashingtonit, i dërguan një letër këtë muaj pronarit të rrjetit X Elon Musk, duke shprehur shqetësimin se Grok, instrumenti i Inteligjencës Artificiale, kishte prodhuar informacione të rreme rreth afateve të votimit në shtete, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara presidenciale.
Zyrtarët kërkuan që chatbot-i Grok t’i drejtojë përdoruesit që bëjnë pyetje mbi zgjedhjet tek “CanIVote.org” një faqe interneti me informacione votimi e Shoqatës Kombëtare të Sekretarëve të Shtetit.
Përpara se të japë përgjigje ndaj pyetjeve mbi zgjedhjet, Grok tani thotë: “Për informacion të saktë dhe të përditësuar në lidhje me zgjedhjet e vitit 2024 në SHBA, ju lutemi vizitoni Vote.gov”.
Të dyja faqet e internetit janë “burime të besueshme që mund të lidhin votuesit me zyrtarët e zgjedhjeve lokale”, thanë pesë sekretarët e shtetit në një deklaratë të përbashkët.
“Ne e vlerësojmë veprimin e rrjetit X për të përmirësuar platformën e tyre dhe shpresojmë që të vazhdojnë të bëjnë përmirësime që do të garantojnë që përdoruesit e tyre të kenë qasje në informacion të saktë nga burime të besueshme në këtë vit kritik zgjedhor,” thanë ata.
Grok mund të përdoret vetëm nga abonentët e versioneve me pagesë të platformës X. Por pesë sekretarët e shtetit që nënshkruan letrën thanë se dezinformatat zgjedhore nga Grok janë shpërndarë nëpër platforma të shumta të mediave sociale, duke u përhapur tek miliona njerëz. Grok vazhdoi të përsëriste informacionin e rremë për 10 ditë përpara se të korrigjohej, thanë sekretarët. Platforma nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Ndryshimi që drejton përdoruesit tek një faqe interneti me informacion zyrtar për votimet, nuk duket se u jep përgjigje shqetësimeve për aftësinë e chatbot-it Grok për të krijuar imazhe të rreme përmes Inteligjencës Artificiale në lidhje me zgjedhjet.
Përdoruesit e kanë përdorur atë për të postuar në platformë imazhe të rreme të kandidatëve, përfshirë Nënpresidenten Kamala Harris dhe ish-Presidentin Donald Trump.
Platformat e mediave sociale po përballen me një kontroll në rritje lidhur me përdorimin e e tyre në përhapjen e dezinformatave, përfshirë për zgjedhjet.
Që kur zoti Musk bleu Twitter-in në vitin 2022 dhe ia ndyshoi emrin në X, grupe të ndryshme kanë ngritur shqetësime për rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe keqinformimin që po amplifikohet në këtë platformë, si edhe për shkurtimet e personelit që merret me moderimin e përmbajtjes.
Ekspertët thonë se këto lëvizje përbëjnë hapa prapa nga përparimi i bërë nga platformat e mediave sociale që ishin përpjekur të merrnin masa më të forta kundër dezinformimit politik pas garës presidenciale të 2016-ës dhe se ato mund të shkaktojnë një përhapje të mëtejshme të dezinformimit përpara zgjedhjeve të nëntorit të këtij viti./VOA