Këshilli i Legjislacionit është mbledhur sot jashtë sesionit parlamentar për të shqyrtuar mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Kryetarja e Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi paraqiti në nisje të seancës raportin e Partisë Demokratike, ku nënvizoi detyrimin e Kuvendit të votojë dërgimin e mocionit për Xhaçkën në Kushtetuese.
Sipas saj Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, ndaj duhet të votojë pro mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Ola Xhaçka dhe dërgimin e çështjes në Kushtetuese, transmeton A2 CNN.
“Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese. Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato”, tha Çupi.