Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se arrestimi në Francë i drejtuesit të aplikacionit të njohur të mesazheve ‘Telegram’, Pavel Durov nuk ishte veprim politik por pjesë e një hetimi të pavarur.
Mediat franceze raportuan se zoti Durov u ndalua në aeroportin e Parisit të shtunën në bazë të një fletë-arresti që pretendon se platforma e tij është përdorur për pastrim parash, trafik narkotikësh dhe shkelje të tjera. Zoti Durov është shtetas i Rusisë, Francës, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe shtetit-ishull të Karaibeve, St. Kitts dhe Nevis.
Në reagimin e parë publik të zyrtarëve të Francës për arrestimin e tij, Presidenti Macron, në një postim në platformën X tha se vendi i tij “është thellësisht i përkushtuar” ndaj lirisë së shprehjes, por “liritë garantohen përbrenda një kornize ligjore, si në rrjetet sociale edhe në jetën e përditshme, për të mbrojtur njerëzit dhe për të respektuar të drejtat e tyre thelbësore.”
Duke hedhur poshtë atë që e quajti informacion të rremë që po qarkullon për arrestimin e tij, ai tha se “nuk është aspak vendim politik. Është në duart e gjykatësve të marrin vendim.”
Zyrtarët qeveritarë rusë kanë reaguar ashpër ndaj arrestimit të zotit Durov. Disa prej tyre e kanë quajtur të motivuar politikisht dhe si shembull që tregon hapur, siç thonë ata, standardin e dyfishtë të Perëndimit përsa i përket lirisë së shprehjes.
Platforma ‘Telegram’, e cila thotë se ka afër një miliardë përdorues në mbarë botën, është themeluar nga zoti Durov dhe vëllai i tij me rastin e reagimit të ashpër të qeverisë së Rusisë ndaj protestave pro-demokracisë që trazuan Moskën në fund të vitit 2011 dhe vitit 2012.
Demonstratat nxitën autoritetet ruse që të marrin masa të ashpra ndaj hapësirës digjitale dhe ‘Telegrami’, bashkë me retorikën në përkrahje të privatësisë, u mundësoi rusëve një mënyrë të përshtatshme komunikimi dhe për të shpërndarë lajme.
Platforma ‘Telegram’ vazhdon të jetë një burim i përhapur i informacionit në Ukrainë, ku mediat dhe zyrtarët e përdorin për të shpërndarë informacionin mbi luftën dhe për të përçuar mesazhet paralajmëruese për sulme raketash apo ajrore.
Në një deklaratë të postuar në platformën e tij pas arrestimit, ‘Telegrami’ tha se i respekton ligjet e Bashkimit Evropian dhe kontrolli i përmbajtjes në të është “brenda standardeve të industrisë dhe gjithnjë e më shumë po përmirësohet.”
“Është absurditet të pretendohet se një platformë apo pronari i saj janë përgjegjës për keqpërdorimin e asaj platforme”, u tha në postimin e ‘Telegramit’. “Gati një miliardë përdorues përreth globit përdorin Telegramin si mjet komunikimi dhe si burim informacioni jetik. Presim një zgjidhje të shpejtë të kësaj situate. Telegrami është me të gjithë juve.”
Një gjykatës francez zgjati urdhrin e paraburgimit për zotin Dunov të dielën mbrëma, njoftuan të hënën mediat franceze. Sipas ligjeve franceze, zoti Durov mund të qëndrojë në paraburgim për t’u marrë në pyetje nga hetuesit deri në katër ditë. Pas kësaj, gjykatësit duhet të vendosin nëse do të ngrijnë një aktpadi ndaj tij apo do ta lirojnë nga paraburgimi.
Ambasada ruse në Paris tha se zyrtarëve të saj konsullorë u është mohuar qasja tek zoti Durov ngaqë autoritetet franceze e konsiderojnë shtetësinë e tij franceze si parësore. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të hënën se “ne ende nuk e dimë se për çfarë saktësisht po akuzohet zoti Durov… Të presim derisa të shpallen akuzat – nëse shpallen.”
Miliarderi Elon Musk, pronar i platformës sociale X, që në të kaluarën e ka quajtur veten si “përkrahës pa kushte i fjalës së lirë”, postoi mesazhin ‘#freePavel’ (liri për Pavelin) në përkrahje të zotit Durov pas lajmit për arrestimin e tij.
Qeveritë perëndimore shpesh kanë kritikuar platformën ‘Telegram’ për mungesë të mbikëqyrjes së përmbajtjes, gjë që sipas ekspertëve krijon mundësinë që platforma në të cilën këmbehen mesazhe të përdoret për pastrim parash, trafikim narkotikësh dhe shpërndarjen e materialit që lidhet me shfrytëzimin seksual të miturve.
Në vitin 2022, Gjermania dënoi me 5 milionë dollarë gjobë operatorët e ‘Telegramit’ sepse nuk kishin krijuar një kuadër ligjor se si ta raportojnë përmbajtjen e jashtëligjshme apo të përcaktonte një zyrë përfaqësimi në Gjermani që do të pranonte letrat zyrtare. Këto dy çështje janë të detyrueshme në bazë të ligjeve gjermane që rregullojnë platformat e mëdha të internetit.
Vitin e kaluar, Brazili pezulloi përkohësisht ‘Telegram-in’ për shkak të refuzimit të platformës për t’u dorëzuar autoriteteve të dhëna mbi aktivitetet e grupeve neo-naziste si pjesë e një hetimi të policisë për një sulm të armatosur në një shkollë në muajin nëntor. /VOA