Të shtëna me armë zjarri janë shënuar në fshatin Dushnik të Beratit.
Policia njofton se është qëlluar me armë zjarri ndaj një automjeti që drejtohej nga shtetasi me iniciale A.H., 46-vjeç, person me precedentë të mëparshëm kriminal.
Blutë e Beratit bëjnë me dije se nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve dhe gjatë kontrollit të zonës në fshatin Kozare kanë gjetur një automjetit që po digjej që dyshohet se mund të jetë i autorëve.
Njoftimi i policisë:
Berat/Informacion paraprak
Rreth orës 16.10, në rrugën e fshatit Dushnik, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi A. H, 46 vjeç, banues në Berat, person me precedent të mëparshëm kriminal. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, Forcat Operacionale dhe ato Shqiponja të DVP Berat dhe drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Njëkohësisht është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë i cili ndodhet në vendngjarje.
Gjithashtu në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.