Rusia ka pretenduar se forcat e saj e kanë pushtuar fshatin Novoselvika Persha në lindje të Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të dielën se Moska “e ka çliruar vendbanimin” në rajonin e Donjeckut. Ky është fshati më i fundit në një varg fshatrash që Kremlini pretendon se i ka okupuar në javët e fundit.
Disa prej atyre fshatrave kanë shumë pak rrugë.
Donjecku është njëri prej katër rajonale lindore dhe jugore të Ukrainës që Rusia pretendon se i ka aneksuar më 2022, pak muaj pasi e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.
Ndërkohë, Forcat e Armatosura të Ukrainës i rrëzuan pesë dronë gjatë një sulmi me dronë dhe raketa nga Rusia në disa rajone ukrainase mëngjesin e së dielës.
Komandanti i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Mykola Oleshchuk shkroi në Facebook se pesë dronët e prodhimit iranian, Shahed, u rrëzuan në rajonet Herson, Dnipropetrovsk, Kirovohrad dhe Zaporizhja.
Dronët u lëshuan nga një bazë ajrore në rajonin Krasnodar të Rusisë.
Rusia shkrepi gjithashtu edhe dy raketa të telekomanduara, S-300, dhe dy raketa të telekomanduara, Kh-59, thanë zyrtarët ukrainas.
Në anën tjetër, guvernatori i rajonit Belgorod në perëndim të Rusisë, Vyacheslav Gladkov, tha se një grua e moshuar u vra si pasojë e sulmeve ukrainase me dronë në qytetin Shebekino.
Në shënjestër të sulmeve ukrainase ishin edhe fshatrat Saltykovo dhe Petrovka, sipas Gladkovit, i cili shtoi se një veturë dhe një autobus u dëmtuan, por askush nuk u lëndua.
Radio Evropa e Lirë nuk është në gjendje t’i verifikojë raportimet për luftimet brenda Rusisë.
Në Ukrainë, guvernatori i Hersonit, Oleksandr Prokudin, tha të dielën se 15 njerëz, përfshirë fëmijë, u plagosën nga bombardimet ruse një ditë më herët.
Me gjithë dëshmitë e mëdha, Rusia vazhdon ta mohojë se nuk i sulmon civilët në luftë kundër Ukrainës.
Misioni Vëzhgues i Kombeve të Bashkuara ka thënë se së paku 11.284 civilë ukrainas janë vrarë nga lufta prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, duke theksuar se numri i vërtetë ka gjasa të jetë shumë më i lartë.
Ndërkohë, autoritetet në Rusi kanë filluar të dërgojë mesazhe telefonike për t’i nxitur qytetarët të regjistrohen në Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë dhe “menjëherë” t’i fitojnë 9.400 dollarë pas nënshkrimit të kontratës për t’iu bashkuar ushtrisë.
Mediat ruse raportuan për herë të parë në qershor për planin e Ministrisë ruse për të rekrutuar ushtarë përmes mesazheve telefonike./REL