Presidenca e Kosovës ka reaguar sërish lidhur me incidentin e djeshëm ndaj presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.
Në reagimin për media, Presidenca kërkon nga autoritetet zyrtare në Shkup që me urgjencë ta trajtojnë rastin dhe të merren masa përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Kosovës.
Presidenca thekson se presidentja Osmani me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga institucionet e sigurisë.
“E para, Presidentja nuk ka pasur bagazh siç propagandohet në reagime të shumta në media, në Maqedoninë e Veriut. Pra, është gënjeshtër se ajo ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi. Ajo ka pasur një çantë të dorës personale të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj.
Jo vetëm se është një e pa vërtetë e madhe, por kjo njëkohësisht është akuza më e rëndë dhe propaganda më e rëndë e bërë ndonjëherë nga media në Maqedoni të Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës. Edhe më skandaloze është deklarata e sotme e MPB-së, se kinse ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat kanë çuar te kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të Presidentes. Kjo është tendencë e paprecedentë për denigrim jo vetëm të Presidentes, por edhe të shtetit të Kosovës. Maqedonia e Veriut duhet ta ketë parasysh që një propagandë të tillë është duke e bërë kundër një Presidenteje, e cila gjatë gjithë mandatit të saj ka kontribuar vetëm e vetëm në thellimin e raporteve pozitive ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Një gjë e tillë është jashtë çdo praktike dhe bie ndesh me protokollet e sigurisë dhe praktikat ndërkombëtare, duke qenë se telefoni i Kreut të Shtetit dihet qartë se përdoret për komunikim zyrtar, përfshirë edhe për çështje të sigurisë. Në kundërshtim me këto standarde ishte edhe kontrolli i çantës së dorës së Presidentes, por ajo përkundër kësaj menjëherë e ka vendosur çantën në skaner.
Edhe pse Policia e Kosovës ia ka komunikuar paraprakisht zyrtarëve të aeroportit të Shkupit rregullat e aplikueshme në situata të tilla, ata kanë tentuar ta pengojnë fizikisht Presidenten, me ç’rast në përputhje të plotë me protokollet e sigurisë, ka reaguar profesionalisht Policia e Kosovës. Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident.
Nga SHBA-të e deri te shtetet e tjera të rajonit, në çdo udhëtim të Presidentes respektohen në plotëni rregullat e trajtimit të kreut të shtetit dhe ASNJËHERË nuk kërkohet të preket, e lëre më të dorëzohet në skaner as telefoni i Presidentes, as çanta e dorës e as valixhja e saj (carry on). Këto janë rregulla që i respekton çdo shtet e i kanë respektuar edhe shtetet jo njohëse, sepse kreu i shtetit përfaqëson vet shtetin. Pra Kosova në këtë rast nuk po kërkon asgjë tjetër pos normave që respektohen çdo kund në botë. Çdo shkelje e këtyre normave konsiderohet shkelje e mos respekt ndaj vetë shtetit”, përfundon reagimi./Kosovapress