Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin e rrëzimit të Kuvendit për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Në njoftim thuhet se përmes injorimit të vendimit të saj të parë për të njëjtën çështje, Kuvendi ka krijuar një krizë kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese ka kritikuar maxhorancën për mbrojtjen politike që i bëri socialistes duke mos e dërguar mandatin e deputetes për shqyrtim në këtë gjykatë.
VENDIMI:
Në lidhje me argumentimin e Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe opozita, ku thekson se maxhoranca shkeli Kushtetutën
“Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për rastin e deputetes Olta Xhaçkën, ku konstaton se mazhoranca shkeli nenin 132 të Kushtetutës, duke vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës.
Në arsyetimin e vendimit të saj, Gjykata ka rrëzuar pretendimin e deputetëve të shumicës që ato janë të lirë në mënyrën sesi votojnë. “Parimi i mandatit të lirë të deputetit nuk mund të shtrihet në çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimeve të Gjykatës në rastet kur ajo ka përcaktuar për Kuvendin detyrime konkrete që nuk lënë hapësirë vlerësimi për mënyrën e zbatimit nga ana e tij.” – thuhet në vendimin nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata kushtetuese ngre alarmin se sjellja e mazhorancës po krijon krizë kushtetuese dhe po cenon besimin e publikut tek drejtësia. “Gjykata arrin në përfundimin se Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e Gjykatës, në kundërshtim me detyrimin kushtetues që buron nga neni 132 i Kushtetutës. Duke mos respektuar këtë detyrim, Kuvendi ka shkaktuar një mosmarrëveshje të re kushtetuese, pasi, përmes vendimmarrjes së tij, ka cenuar të drejtën kushtetuese të jo më pak se 1/10-ës së deputetëve për t’iu drejtuar Gjykatës për konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, duke penguar mocionin e tyre pavarësisht mosekzistencës së pengesave juridiko-formale.
Ky refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që jo vetëm cenon themelet e shtetit demokratik dhe humb besimin e publikut te shteti dhe organet e tij, por vë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës”, thuhet në vendim.