Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së hënës në Britaninë e Madhe ku një person i armatosur me thikë hyri në ambientet e një kampi veror në Southport dhe plagosi 8 fëmijë të mitur të moshave 3-12 vjeç, një prej të cilëve ndërroi jetë.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, agresori u pa të vraponte në rrugë dhe të qëllonte këdo që gjente përpara, pa dallim, para se të arrestohej nga policia.
Policia doli në një deklaratë për mediat pas ngjarjes dhe iu bëri thirrje banorëve që të mos frikësohen pasi ngjarja nuk ka të bëjë me terrorizmin, teksa e cilësoi aktin si një “incident” tashmë të izoluar.
Dhjetëra ambulanca shkuan menjëherë në vendngjarje dhe i dërguan personat e lënduar në spitalet më të afërta për të marrë ndihmën e parë.
Momentalisht, e gjithë rruga Hart është e izoluar nga policia, e cila po merr në pyetje dëshmitarët, si dhe po mbledh kamerat e sigurisë për të krijuar një panoramë edhe më të qartë të kësaj ngjarje të rëndë.
Kryeministri Keir Starmer e cilësoi si një lajm shokues atë që ndodhi në Southport, teksa shtoi se mendimet e tij në këto momente të vështira shkojnë për familjarët e viktimave.