Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka raportuar për punën e institucioneve të cilat drejton përgjatë vitit të fundit në sallën e Kuvendit.
Ai është pyetur nga deputeti i opozitës Flamur Noka lidhur me çështjen e inceneratorëve si dhe nëse kanë nisur procedimet disiplinore për disa nga gjyqtaret që kanë rezultuar të dënuara jashtë vendit, siç ishte rasti i gjyqtares Irena Gjoka.
Metani është shprehur se çështja e inceneratorëve është nën hetim.
Nga ana tjetër ai theksoi se përsa i dënimit të gjyqtares Gjoka, institucioni ndjek me prioritet çdo informacion publik që del për këdo.
Flamur Noka: Nuk do të ju pyes në lidhje me skandalin e inceneratorëve, kur keni qenë drejtor juridik i kryeministrisë, por do ju bëj një pyetje në lidhje me një çështje që i takon ILD-së:
A keni nisur ju, procedim disiplinor, për gjyqtaren Irena Maneku, Gjoka, Shpata, për fshehjen e dënimit me vendim gjykate në shtetin fqinj të Greqisë. Apo për mos deklarime të tjera të saj, siç janë detyrimet ligjore, apo për të hetuar mënyrën se si ajo në vitin 2004, shkoi në Itali, ndërkohë që 2 vite më parë, Greqia i kishte ndaluar asaj për shkak të dënimit dhe mashtrimeve lëvizjen në 27 vendet Shengen të BE-së. A mbani ju si ILD, si një organ i ri i drejtësisë së re, përgjegjësi se si kjo zonjë e dënuar në Greqi, të jetë sot përfaqësuesja e drejtësisë së re.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Së pari, ju nuk e bëtë pyetjen, por gjithsesi, do ta jap një përgjigje. Çështja është nën hetim dhe e dinë ata që po e hetojnë këtë çështje. Përsa i përket Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, apo Artur Metanit, të jeni i sigurt se nuk kam asnjë problem.
E dyta, me pyetjen. E ndjekim me prioritet çdo informacion publik që del për këdo edhe për gjyqtaren Irena Gjoka dhe po e trajtojmë në përputhje të ligjit 96, viti 2016 për statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit në Republikën e Shqipërisë.