Në seancën e sotme ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, Gjykata e Posaçme ka marrë në pyetje ekspertet që kanë përpiluar aktin ekonomiko-financiar të dosjes “Gërdeci”.
Seanca është shoqëruar me tensione, pasi ekspertët kanë kërkuar që pyetjet t’ia dërgonin me shkrim, pasi sipas tyre 5 veta nuk mund të bien dakord për pak minuta.
Pjesë nga debati:
Bexhet Zeqiri (aktualisht punonjës i KLSH): Paraprakisht na jepni një kohë të dytë për t’ju përgjigjur pyetjeve. Nuk mund t’i përgjigjemi pyetjeve për një akt që e kemi bërë 17 vjet më parë 5 vetë, secili në kokë të vet.
Avokati Saimir Visha: Cili është kualifikimi juaj profesional, gradë shkencore?
Rasim Metallari (auditues pranë Universitetit të Mjekësisë): Jam certifikuar nga një komision ad hoc në Ministrinë e Financave. Unë ekspert i licensuar nuk jam.
Avokati Saimir Visha: Ku punonit kur u caktuat ekspert?
-Në ministrinë e Financave. Nuk e mbaj mend sa kohë kemi marrë për aktin, disa muaj.
Avokati Saimir Visha: Si e keni ndarë punën? Kush e ka shkruar?
Metallari: Të gjithë bashkë. E kemi firmosur dhe shkruar bashkë, të pestë bashkë. Për pjesën ushtarake është specialisti. Unë jam financier, jo ushtarak.
Avokati Saimir Visha: Ju të gjithë bashkë keni bërë interpretim në akt, që shënimet e ministrit janë urdhra. Mbi ç‘bazë e keni bërë?
Bexhet Zeqiri: Ne e kemi të vështirë të biem dakord për çdo përgjigje. Ndaj kërkoj t’i marrim pyetjet me shkrim dhe të përgjigjemi. S’mund të biem dakord 5 veta për 2-3 sekonda. Na vini në vështirësi edhe ne.
Marrja në pyetje ka ardhur për shkak se avokatët e Mediut kanë kërkuar kryerjen e një ekspertimi të ri me 3 ekspertë të pavarur.