Një oficere e policisë në komisariatin e policisë nr.1 të Tiranës është pezulluar nga detyra pasi është në hetim për mashtrim.
Mësohet se ajo gjatë kohës që ka kryer detyrën si Specialiste për Hetimin e Krimeve, pas ekzekutimit të urdhrit për kthimin e mjetit të sekuestruar, nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar atë mjet dhe në bashkëpunim me shtetasin G.K., e kanë shitur atë për pjesë këmbimi.
“Pas një hetimi të thelluar nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masat e sigurimit personal për një oficere policie dhe një shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Masa e sigurimit “Pezullim nga detyra si punonjëse e Policisë së Shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në Policinë Gjyqësore”, për punonjësen, N/Komisare B.Koshena, 44 vjeçe, efektive në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.
Masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasin G. Kurti, 35 vjeç.
Nga hetimet e kryera, u siguruan prova se punonjësja e policisë gjatë kohës që ka kryer detyrën si Specialiste për Hetimin e Krimeve, duke shfrytëzuar atributet e Oficerit të Policisë Gjyqësore, pas ekzekutimit të urdhrit për kthimin e mjetit të sekuestruar, nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar atë mjet dhe në bashkëpunim me shtetasin G.K., e kanë shitur atë për pjesë këmbimi me qëllim përfitimi”, njofton policia.