Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso thotë në mbledhjen e KQZ se ky institucion nuk ka kompetencën për t’ia hequr mandatin Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës.
Kaso tha se kjo nuk është një patate e nxehtë që mazhoranca kërkon t’ia kalojë KQZ, por sipas tij duhet të jetë Këshilli i Ministrave që ta shkarkojë nga detyra një person të dënuar me vendim të formës së prerë.
Me Ironi, Kasi tha se kërkonin që t’ia bënin dhuratë Ramës heqjen e mandatit të Belerit për 60-vjetor.
“Nuk është kjo një patate e nxehtë që duan t’ia kalojnë KQZ këta të PS e mos të merren. Mazhoranca duhet të vërë fytyrën që pas vendimit të formës së prerë. Rama duhet të marrë përgjegjësinë ta shkarkojë dhe të thotë që kemi të bëjmë me një person që është i dënuar. Mazhoranca s’do ta bëjë, se kanë ngut të bëjnë zgjedhjet në Himarë. Apo mazhoranca ka pasur ndonjë dëshirë t’ia bënin heqjen e mandatit dje Ramës dhuratë për 60-vjetor. KQZ duhet të ndjekë rrugën ligjore”,-tha Kaso.