Ministri i jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, ka reaguar ditën e sotme në lidhje me vendimin e Apelit të GJKKO-së për dënimin e Fredi Belerit me dy vite burg.
Në një konferencë të përbashkët me homologun e tij austriak Alexander Schallenberg, duke folur për Ballkanin Perëndimor, ministry grek u ndal edhe te Shqipëria.
“Të respektohet Ligji Evropian, i cili i imponon mundësinë anëtarit të zgjedhur të Parlamentit Evropian, të marrë detyrat e tij dhe të marrë pjesë plotësisht”, theksoi ai.
Gjithashtu, ai foli edhe për censin, ku shprehu rezervat e Ministrisë së Jashtme greke në lidhje me integritetin e regjistrimit të popullsisë në vendin tonë.
“Rezultatet e para nxjerrin në pah çështje serioze me procesin e regjistrimit, të cilat vënë në dyshim vetë rezultatet. Anëtarët e minoritetit etnik grek tashmë kanë dëshmuar dhe iu referuar atyre”, tha Gerapetritis.
Siç theksoi ministri, “sfidat moderne të sigurisë në rajon dhe në mbarë botën dëshmojnë se stabiliteti në botë është jashtëzakonisht i brishtë dhe i ndryshueshëm. Dhe na vë përpara përgjegjësisë së madhe për të bërë gjënë e duhur, atë që i detyrohemi historisë, atë që i detyrohemi brezave të ardhshëm”, u shpreh ministri.