Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ai shkruan se Kadare mbetet emblema e letërsisë, e krijimtarisë dhe e krenarisë shqiptare, por dhe shqiptari më i famshëm në Glob.
“Sot nuk ka emër më të madh ndër shqiptarë, se sa emri Ismail Kadare. Jo vetëm se ai mbetet emblema e letërsisë, e krijimtarisë dhe e krenarisë shqiptare, por sepse ishte shqiptari më i famshëm në Glob. Njeriu që e lartësoi Kombin, që e lartësoi Shqipërinë, që lartësoi Kosovën dhe që letërsinë e një kombi të vogël e futi në analet e letërsisë së përbotshme.
Ne sot e kemi humbur gjeneralin e letrave shqipe, e kemi humbur ambasadorin e krijimtarisë shqiptare në Botë, e kemi humbur Ismail Kadarenë, emri i të cilit i ngërthen në vete krejt vlerat më të larta që mund t’i ketë njeriu!
Ky emër do t’i jetojë epokat!
Lamtumirë Mjeshtër!“, shkruan Haradinaj.