“Ishte një mendje brilante dhe një kontribut i jashtëzakonshëm për kulturën shqiptare”, kështu është shprehur gazetari Blendi Fevziu për të madhin Ismail Kadare. Në një lidhje direkte për Klan News, gazetari Fevziu është shprehur se Kadare është shkrimtari më i madh shqiptar dhe padyshim shqiptari më i njohur në botë.
Blendi Fevziu: Jam njohur përmes veprës së tij qëkur kam qenë fëmijë. Ishte modeli dhe frymëzimi i të gjithë studentëve të asaj kohe. Në Maj 1992 e kam njohur kur u kthye nga emigrimi në Francë. Që prej asaj kohe, kam pasur raporte miqësore me të. Ismail Kadare është shkrimtari më i madh shqiptar, intelektuali më i madh shqiptar, është një nga shkrimtarët më të mëdhenj që Evropa ka nxjerrë në shekullin XX, është padyshim shqiptari më i njohur në botë. Ishte një mendje brilante dhe një kontribut i jashtëzakonshëm për kulturën shqiptare.
Më tej, Fevziu ka thënë se bisedat me Ismail Kadarenë kanë qenë gjithmonë më interesantet teksa shton se shkrimtari ishte një meteor që ra në letërsinë shqiptare.
Blendi Fevziu: Takimet e para të miat kanë qenë pak më formale, kam drejtuar takimin e parë të Ismail Kadaresë me lexuesit shqiptarë pas kthimit nga Franca në vitin 1992. Ka qenë një takim shumë interesant. Kam pasur raporte interesante. Kam mbi 15 intervista me Ismail Kadarenë, e kam njohur në Paris dhe në Tiranë, i kam shkuar në shtëpi dhe ka ardhur. Kanë qenë biseda shumë të këndshme. Intervistat me Kadarenë, Vrionin dhe Geraldinën, janë ndër intervistat më interesante që kam bërë gjatë karrierës time në televizion. Ishte një meteor që ra në letërsinë shqiptare.