Kreu i partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas lajmit të trishtë për ndarjen nga jeta të kolosit të letërsisë shqiptare.
Berisha shprehet se dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, duke shprehur ngushëllimet për familjarët e tij.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare.
Të dashur miq, sot mort, zi dhe dhimbje për mbarë kombin shqiptar. Ismail Kadare, gjeniu botëror i letrave shqipe, dhe njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur për jetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij.
Laureat i çmimeve me prestigjoze të letrave si Man Booker, Prince des Asturies, Jerusalem Prize, veprat e Ismail Kadares u përkthyen në rreth 45 gjuhë të botës.
Në kohërat më të errëta të regjimit hoxhist kur me një varg apo poezi mund të hapje varrin tënd, me gjithë konformizmin që kishte si alternativen me te mire burgun dhe internimin, Ismail Kadare arriti të dalë nga shtrati i Prokrustit me vepra si “Pallati i Ëndrrave” etj për të cilat regjimi e censuroi për vite të tëra. Në vitin ‘90 Ismail Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë. Ai pas largimit nga Shqipëria, nga mërgimi në Paris mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri.
Duke u përulur me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë para kujtimit dhe veprës të ndritur të Ismail Kadares, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar miqve, të afërmëve dhe lutem së bashku me ta që shiprti i madh i tij të prehet në paqen e merituar. Amin! #sb”,-shkruan Berisha.