Një përleshje mes të burgosurve në burgun Korydhallo në Greqi ka bërë që një shqiptar të humbas jetën dhe një tjetër të plagoset.
I burgosuri Xhuliano Halili, i dënuar me burgim të përjetshëm, ka marrë përsipër autorësinë e vrasjes së 35-vjecarit Alfons Ndoci dhe plagosjen e 46-vjecarit Altin Vokrri këtë të mërkurë.
42-vjeçarit i është gjetur një thikë kuzhine, me të cilën dyshohet se kreu krimin. Policia ndërkohë po heton se ku e gjeti thikën Halili dhe cili ishte motivi i ngjarjes së rëndë. Sipas te dhënave paraprake, sherri ka nisur për temperaturën e kondicionerit.
Xhuliano Halili i njohur ndryshe si “Niko”, akuzohet se në nëntor 2011, në Kalamata, ka vrarë shqiptarët Fillim e Oligert Mesaja, 35 vjeç e 2 vjeç, me origjinë nga fshati Caj i Kukësit. Vrasja atëherë ishtë porositur nga krimineli famëkeq grek Vasilis Varelas për larje hesapesh.
Halili mësohet se pasi e kishte qëlluar me cifte në kokë, e kishte therrur në fyt djalin e mitur të Fillim Masajës. Halili mësohet se është autor edhe i dy vrasjeve të tjera me pagesë, në vitin 2008 dhe 2009, ku viktima të tij ishin dy shtetas grekë.