Duhen edhe pak orë nga fillimi i Euro 2024 ku Gjermania si vendi mikpritës do të përballet me Skocinë. Në vitin 2006 aty u mbajt edhe Kupa e Botës ndërsa u zgjodh si vendi pritës i këtij Europiani në vitin 2018. Më poshtë do t’ju tregojmë disa rregulla dhe kuriozitete rreth këtij kompeticioni.
Ekipet dhe rregullat
Faza e parë e Europianit është ajo e grupeve. Këto sfida do të luhen deri më 26 Qershor. Më pas do të ketë 3 ditë pushim për të nisur me fazën e eliminimit direkt më 29 Qershor. Në total janë 24 skuadra të ndara në 6 grupe. Dy vendet e para në klasifikim kualifikohen në 1/16 direkt.
Bashkë me ta do të kualifikohen edhe 4 vendet e treta më të mira. Ato do të zgjidhen bazuar në këto kritere: numrin më të lartë të pikëve, diferencën e golave, golat e shënuar, fitore, sjelljet “fair play” dhe pozicioni më i mirë në kualifikuese. Finalja do të mbahet më 14 Korrik në Olympiastadion në Berlin.
Euro 2024, të gjitha grupet
Grupi A: Gjermani, Skoci, Hungari, Zvicër
Grupi B: Spanjë, Kroaci, Itali, Shqipëri
Grupi C: Slloveni, Danimarkë, Serbi, Angli
Grupi D: Poloni, Holandë, Austri, Francë
Grupi E: Belgjikë, Sllovaki, Rumani dhe Ukrainë
Grupi F: Turqi, Gjeorgji, Portugali, Çeki
Stadiumet dhe si mund të lëvizni në Gjermani
Për të pritur turneun janë vendosur 10 qytete. 9 prej këtyre stadiumeve janë përdorur që në Kupën e Botës në vitin 2006.
I vetmi stadium i ri është ai i Dyseldorfit ku Shqipëria do të luajë me Spanjën. Qytetet përveç Dyseldorfit që do të presin ndeshje do të jenë edhe Berlini, Këlni, Dortmundi, Frankfurti, Gelzenkirshen, Hamburgu, Lajpcigu, Mynihu dhe Shtutgarti.
Trenat dhe transporti publik mund të jenë mënyra më e përshtatshme për të udhëtuar në Gjermani gjatë Kampionatit Europian. Çdokush që ka një biletë në stadium do të përfitojë ulje krahasuar me çmimet e zakonshme.
Maskota dhe himni zyrtar
Maskota e turneut është një ari i vogël, Albart-i, emri i të cilit u zgjodh nga përdoruesit e website-t të UEFA dhe nga studentë në të gjithë Europën. Kënga zyrtare e kompeticionit quhet “Fire” [Zjarr] krijuar nga producentët italianë Meduza, grupi amerikan OneRepublic dhe këngëtarja gjermane, Leony.
Kuriozitete mbi Euro 2024
Rregullorja e UEFA-s për turneun është 60 faqe. Kupa origjinale do t’i jepet fituesit vetëm për ceremoninë pas fitores së finales. Më pas do të kthehet në UEFA ndërsa fituesi do të marrë një kopje të kupës. Lojtarët mund të mbajnë numra nga 1 deri tek 26. Futbollistët duhet që të mbajnë kartën identifikuese me vete kudo që shkojnë.