Vatikani u ka bërë thirrje qytetarëve të Bashkimit Evropian, që mund të kenë tendenca për të votuar për partitë e ekstremit të djathtë në zgjedhjet e kësaj jave të Parlamentit Evropian, që të ruajnë simpatinë kundrejt migrantëve dhe refugjatëve.
Partitë e të djathtës ekstreme dhe ato konservatore pritet të rrisin shkallën e mbështetjes në zgjedhjet që do të mbahen më 6-9 qershor, çka më pas do të ndikojë në qasje më të ashpër të bllokut evropian në fushën e rendit dhe ligjit, por edhe sigurisë kufitare.
Vatikani zakonisht nuk pozicionohet në rrafshin politik, mirëpo përgjatë 11 vjetëve në krye të Selisë së Shenjtë, Papa Françesku ka folur disa herë për të drejtat e migrantëve dhe ka bërë thirrje që Qeveritë perëndimore të kenë një qasje më humanitare.
“Votuesit duhet të vendosin veten në këpucët e migrantëve dhe të kuptojnë se edhe ata dëshirojnë një jetë më të mirë në Evropë”, ka thënë kardinali Michael Czerny, udhëheqës i zyrës së Vatikanit për zhvillim njerëzor, në disa deklarime para mediave.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh nën presion të realitetit, historisë, që të ikësh. Shpesh propaganda apo ideologjia sugjerojnë që migrantët janë larguar prej dëshirës: kjo është diçka e rreme, e rreme, e rreme”, ka thënë ai.
Kardinali, i cili është djalë e imigrantëve çekë në Kanada, ka thënë se është e rëndësishme që të mos ketë qasje çnjerëzore ndaj migrantëve.
“Le t’i pranojmë këta njerëz si vëllezër dhe motra, le t’i përsërisim fjalët që t’ua nxjerrim kuptimin.. njohja e tyre si vëllezër dhe motra ndryshon gjithçka”, ka thënë ai.
Czerny e ka përmendur edhe që shumë evropianë kanë histori imigrimi.
“Është turp, njëmend turp që pas një apo dy gjeneratave, një familje mund të harrojë rrënjët e migrimit”, ka thënë mes tjerash ai./REL