50 persona kanë humbur jetën brenda 24 orëve në Indi për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë rajone të ndryshme.
Sipas raportimeve, 30 prej tyre kanë qenë staf i organizimit të votimeve, pasi vendi ka përmbyllur të shtunën fazën e 7 dhe të fundit të procesit zgjedhor, ku kryeministri aktual Narendra Modi është para në garë por rezultatet shpallen zyrtarisht të martën.
Temperaturat përvëluese kanë kaluar 50 gradë Celsius dhe shumë qytete janë në gatishmëri të lartë, përfshirë edhe Delhi-n.
Pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve për të mos dalë nga banesat, njerëzit u panë në radhë të gjata duke shtuar rastet e problemeve shëndetësore që lidhen me dehidratimin dhe goditjet në zemër.
India nuk është e panjohur për temperaturat e nxehta të verës.
Prilli, maji dhe qershori shënojnë gjithmonë rekorde të larta, përpara se shirat e musonit të sjellin temperatura më të ftohta.
Por vite të tëra kërkimesh shkencore kanë zbuluar se ndryshimi i klimës po bën që valët e të nxehtit të bëhen më të gjata, më të shpeshta dhe më intensive.
Dhjetëra miliona prej 1.4 miliardë banorëve të Indisë nuk kanë ujë të rrjedhshëm, teksa vendi shpall alarm për nxehtësinë sa herë temperaturat kalojnë 45 gradë Celsius.