Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi nga Lezha ka folur për Komisionin e Posaçëm AntiKorrupsion.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se e sheh si një mjet për t’i bërë presion drejtësisë, veçanërisht SPAK dhe GJKKO.
Shehi tha se kjo lëvizje e mazhorancës është një teatër dhe nuk ka si synimin luftën ndaj korrupsionit.
Ai i ka kërkuar pjesës tjetër të opozitës që të mos fillojnë marrëveshjet për të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm, por të vijojnë me bojkotin.
“LZHK nuk është dakord me këtë komision, prandaj nuk e kemi votuar. Pozicioni i opozitës ka qenë pozitiv që nuk mori pjesë. Ne e kemi konsideruar një dokument pa vlerë që nuk lufton realisht korrupsionin, qeveria i ka mjetet e nevojshme për ta luftuar korrupsionin. S’ka si e lufton korrupsionin një komision i dominuar po nga kjo qeveri, me kryetar po këta të shumicës. Është një lloj teatri për t’i hedh hi sy popullit.
Rruga për të luftuar korrupsionin janë të tjera. Ne kemi dyshimin permanent, edhe pjesë të tjera të opozitës, se kjo po bëhet për t’i bërë presion SPAK dhe GJKKO. Për të ndërtuar një institucion që i jep vetes të drejtën të ndërhyrje dhe të krijojë presion mbi këtë lloj institucionesh. Do jetë dëm i madh. I ftoj kolegët e tjerë opozitarë t’i qëndrojnë këtij pozicioni. Nëse do fillojnë tratativa, marrëveshje si do jetë komisioni do ta fusin veten në një situatë qesharake.
Njerëz që nuk diskutojnë në Kuvend, nesër shkojnë e negociojnë për t’u bërë pjesë e Komisioneve kur ne s’e kemi pranuar. Dy rrugë janë, o pranoje Komisionin që në princip, o nuk jemi për këtë komision dhe mos u bëj pjesë. Çfarëdo lloj veprimi nga grupe opozitare për të bërë pjesë e këtij triku politik parazgjedhor për ti bërë presion SPAK do lejë përshtypje të keqe para shqiptarëve. Ata e bënë, e gëzofshin komisionin e vet, ne nuk duhet të bëhemi pjesë e këtij teatri”, u shpreh Shehi.