Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka dhënë leje Ukrainës t’i përdorë armët amerikane për të kryer sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin, raporton Associated Press.
Associated press raportoi të enjten se zyrtarë amerikanë, të cilët kanë dashur të mbesin anonimë, nënvizuan se qëndrimi i SHBA-së që Ukraina të mos përdorë raketa amerikane me rreze të gjata veprimi apo ATACMS, si dhe municione të tjera për të kryer sulme brenda Rusisë, nuk ka ndryshuar.
Vendimi i Bidenit lejon që armët, me të cilat SHBA-ja e furnizon Ukrainën, të përdoren vetëm për “qëllime të kundërsulmeve në rajonin e Harkivit, në mënyrë që Ukraina t’iu përgjigjet forcave ruse të cilat e sulmojnë atë, apo përgatiten për ta sulmuar”.
Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, tha më herët të enjten duke folur në takimin joformal të ministrave të Jashtëm të aleancës ushtarake se vendet anëtare duhet ta shqyrtojnë heqjen e kufizimeve ndaj përdorimit të armëve të tyre nga Ukraina për sulme brenda Rusisë.
Në muajt e fundit, Rusia ka kryer sulme të pareshtura ajrore dhe tokësore kundër Ukrainës, e cila po përballet me mungesë municioni.
Kievi i është lutur aleatëve ta përshpejtojnë dërgimin e municionit, si dhe ka kërkuar që t’i lejohet të përdorë armë me rreze të gjata veprimi – pasi e ka të kufizuar përdorimin e tyre brenda territorit të Rusisë.
Harkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, ndodhet vetëm 20 kilometra larg kufirit rus.
Politico ishte e para që raportoi për vendimin e ri të Bidenit.
Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë, dhe nuk ka pasur as reagime nga Ukraina.
Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha më 29 maj se nuk ka “ndryshim në qëndrimin tonë”.
Britania e Madhe dhe Franca kanë thënë se Ukraina ka të drejtë t’i përdorë armët e tyre për të sulmuar brenda Rusisë, ndërsa Gjermania ka shprehur ngurrim.
Presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar se do të përgjigjej, duke paralajmëruar për “pasoja serioze”, posaçërisht për disa “vende të vogla” në Evropë./REL