Fjalimi i fundit i kryeministrit Edi Rama në mbledhjen me grupin parlamentar ka shtruar pyetjen nëse ka një thyerje të raportit të tij me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, foli për marrëdhëniet Rama-Veliaj pasi u pyet këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku ishte i ftuar. Ai tha se i shikon raportet mes të dyve, të drejta dhe korrekte.
“Unë mendoj janë raporte shumë të drejta, raporte korrekte, raporte të asaj që e thanë dhe kolegët të një ekipi që lufton, përpiqet, kontribuon, zhvillon qytetin. Problematika ose raporte që ka me të 12 drejtuesit politikë për arritjet në fushatë elektorale, për rezultatet, për punët që ne kemi sepse realisht politika nuk është vetëm e folura. Politika është punë, ose forcat politike duhet të punojnë, duhet të organizohen. Politika nuk bëhet më vetëm me të folur. Politika do të punosh në terren, të organizohesh, të ecësh përpara, të takosh njerëz. Si ky mitingu i Athinës. Është kollaj të thuash po bëjmë një miting në Athinë, por sa punë duhet pas kësaj që të realizohet”, tha Klosi.
Sa i përket fjalimit të Ramës, Klosi tha se kreu i qeverisë nuk ka lëshuar asnjë, por fjalët e tij janë divizë e selisë rozë që kur ka marrë pushtetin, për të bërë një reformë drejtësie e ku askush nuk është i mbrojtur nga politika.
“Kë ka lëshuar Edi Rama? Nuk mendoj që ka një lëshim nga fjalimi i pardjeshëm. Është një divizë që kur morëm pushtetin në 2013, do bëjmë një reformë në Drejtësi. Reformë që e ndërtuam, e ngritëm me vullnet, ka tashmë një produkt që të gjithë e pranojnë, edhe ata që janë opozitarët më të fortë të Edi Ramës dhe PS thonë që është ngritur një institucion që po vendos drejtësi në vend. Logoja e këtij institucioni është pandëshkueshmëria, pra askush nuk është më i mbrojtur nga politika përballë drejtësisë, këtë tha Rama dje dhe nuk lëshoi njeri”, tha Klosi.