“SHBA mund të vendosë trupa në Ukrainë nëse Kievi pëson një kolaps të plotë kundër Rusisë”. Kjo deklaratë e fortë është bërë nga kongresmeni Hakeem Jeffries, i cili është kreu i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në një intervistë për CBS News këtë të dielë, ligjvënësi i lartë demokrat theksoi urgjencën e dërgimit të ndihmës ushtarake në Ukrainë, duke pretenduar se nëse këto përpjekje dështojnë, SHBA-ja potencialisht do të duhet të ndërhyjë drejtpërdrejt në konflikt.
“Ne nuk mund ta lëmë Ukrainën të bjerë, sepse nëse bie, atëherë ka një gjasë të konsiderueshme që Amerika do të duhet të futet në konflikt – jo thjesht me paratë tona, por me mjetet tona ushtrake dhe ushtarakët tanë”, tha Jeffries.
Megjithatë, ky qëndrim bie ndesh me politikën e kahershme të presidentit amerikan Joe Biden, i cili përsëriti muajin e kaluar se ishte “i vendosur” të mos dërgonte trupa amerikane në Ukrainë, pas vrullit të reagimeve që krijoi deklarata e Presidenti francez Emmanuel Macron për të dërguar ushtarë në Kiev.