Ergi Çerçiu nga Gramshi tregon për “Stop” në Tv Klan se para 10 muajsh ka bërë zgjidhjen e martesës. Nga martesa ka një vajzë 8 vjeç. Në dhjetor 2023 ka marrë fëmijën, pasi ka qenë jashtë shtetit dhe vajza nuk ka pranuar të kthehet te nëna që ka ndërtuar një familje të re. Pavarësisht përpjekjeve edhe me psikologen e bashkisë Gramsh, vajza nuk është bindur që të kthehet te nëna. Psikologia Ludjana Elezi e konfirmon këtë gjë.
Psikologia Bashkia Gramsh: Në momentin që ishte shkëputur nga nëna dhe aty ndihej më mirë, sepse aty i plotësoheshin të gjithë “tekat” dhe thoshte që “jam okej, dua dhe mamin, po tani dua të rri te babi”.
Ekzekutimi i takimit është bërë në ambientet e bashkisë. Ergi thotë se fëmija u mor me dhunë, qarje e ulërima dhe nga ky moment, nuk ka mundur të ketë komunikim me vajzën pasi dhe telefonin e ka të fikur. Në datën 23 prill 2024 ka ndodhur ekzekutimi me objekt dorëzim fëmije nga zyra përmbarimore e Elbasanit, nga Granit Guxho dhe psikologia Eriona Hoxha.
Sipas përmbaruesit, fëmija nuk është marrë me dhunë, por vetë fëmija ka dërguar mesazhe tek i ati, që po qan e të shkojë ta marrë.
Gazetarja: Ti thua fëmija nuk është marrë duke qarë?
Granit Guxho: Jo, absolutisht.
Gazetarja: Nuk është marrë duke qarë? Fëmija e ka pohuar vetë në mesazhe dhe i kërkon babait që të shkojë ta marrë pak minuta pasi ka hyrë me dhunë në makinën që ju drejtonit grupin!
Granit Guxho: Kam psikologët…
Gazetarja: Çfarë raporti ka bërë psikologu për sa i përket gjendjes emocionale të fëmijës?
Granit Guxho: Si…
Gazetarja: Si ka qenë gjendja emocionale e fëmijës?
Granit Guxho: Asistojnë edhe psikologët.
Gazetarja: Si ka qenë gjendja emocionale e fëmijës?
Granit Guxho: Në bazë të ligjit, neni 41…
Gazetarja: A është hera e parë që ju po tentoni të bëni këtë ekzekutim?
Granit Guxho: Jo, jo, fare. Unë kam zbatuar vendimin e gjykatës.
Gazetarja: A keni tentuar edhe disa herë të tjera?
Granit Guxho: Nëse ju keni pretendime…
Gazetarja: Zoti Granit, e keni marrë fëmijën mes qarjeve, ulërimave…
Granit Guxho: Absolutisht nuk është e vërtetë!
Gazetarja: Fëmija ka kërkuar babain edhe në momentin…
Granit Guxho: Nuk është e vërtetë. Komisariati i policisë, policia dhe agjencia…
Gazetarja: Një 8-vjeçare në polici?! Pse, pengohej ekzekutimi nga babai? Babai e solli vetë fëmijën!
Granit Guxho: Në asistencën e psikologut, në bazë të ligjit…
Gazetarja: Po si mund të sjellësh policinë kur babai nuk është kundër?
Granit Guxho: O zotëri, ti erdhe vetë e solle. Jam dakord. Është hapur procesverbal, e solli vetë.
Gazetarja: Dhe ju e morët me dhunë fëmijën, mes qarjeve, ulërimave.
Granit Guxho: Hajde të thërrasim dhe palën tjetër!
“Stop” udhëtoi drejt fshatit Fier Shegan dhe pas komunikimit me ish-bashkëshorten e Ergit, u realizua takimi i Ergit me të bijën i cili do të vazhdojë të jetë periodik, sipas vendimit të gjykatës.
Fëmija: Parmbrëmë kur fjeta unë, qava natën.
Gazetarja: Telefonin do ta karikosh ti sot…
Fëmija: E karikova, fola me babin.
Gazetarja: Edhe do flasësh me babin tënd, do flasësh çdo ditë kur të vish nga shkolla. Do shkosh ta takosh nëpër fundjava kur të të çojë mami ose kur të vijë babi të të marrë.
Fëmija: Të premten të vijë babi!/Tv Klan