Sot, në ditën ndërkombëtare të Punëtorëve, minatorë dhe ish-minatorët i janë bashkuar mësuesve dhe kanë protestuar para Kryeministrisë.
Si fillim ata u mblodhën te sheshi Skënderbej dhe më pas, në një marshim, bënë bashkë me mësuesit para Kryeministrisë.
“Nuk do të ndalen grevat. Duam statutin. Të bashkohemi të gjithë, minatorë, por dhe ata që kanë dalë në protestë. Kryeministri të reagojë, t’i zgjidhë kërkesat tona. Nuk do të ketë më votat tona kjo qeveri”, tha një prej minatorëve që merr pjesë në protestë.
Ndërsa një përfaqësuese e sindikatës së arsimit deklaroi se duhet të dyfishohet paga dhe t’i kthehet vëmendja shkollave.
“Sot jemi përpara Kryeministrisë për të kërkuar dyfishimin e pagës së mësuesit. Gjithashtu kemi nevojë që Kryeministri të kuptoj që shkollat kanë nevojë për investime. Ministret e kanë kthyer shkollën në shkollë Facebook-u, ku imponohet mësuesve të bëjnë like e share e jo punën e tyre. Ti kthehet vëmendja shkollës”, tha ajo.