Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është shprehur se bashkimi i demokratëve dhe cilësia në përfaqësim është kombinimi i papërballueshëm për Edi Ramën.
Gjatë një fjalimi përpara demokratëve në Rrëshen ai ka komentuar ndër të tjera edhe arrestimin e drejtorit të IT në Policinë e Shtetit, që ndërhyri në sistemin TIMS, Ervin Muçën.
Salianji theksoi se uron që arrestimi dhe më pas vënia në arrest shtëpie e Muçës mos të jetë thjesht për truk, për të mos dhënë më tej llogari në Komisionin Hetimor parlamentar për sistemin TIMS.
“OSBE ODIHR e ka thënë se zgjedhjet janë manipuluar. Opozita po fiton sot përditë e më shumë terren, tek zëri ynë në parlament, tek zëri i përfaqësuesve të PD në çdo cep të Shqipërisë. Puna po sjell transparencë dhe po ia heq një e nga një qeverisë. Nuk ka ndërhyrje më të rëndë sesa të hysh në TIMS.
Arrestuan drejtorin e IT në Policinë e Shtetit. Shpresoj mos të jetë truk, që mos japin llogari në Komisionin Hetimor parlamentar. Edi Rama është drejtpërdrejtë i përfshirë në afera. Rama ka ndërtuar një sistem, që asetet shettërore të jenë në duar të individëve të dyshimtë.
E vetmja rrugë që kemi është që të përballemi me këtë regjim. Nëse kemi bashkim, betejë e cilësi, rezultati do të vijë. Fitore e suksese në zgjedhjet e 2025”, deklaroi Salianji./Opinion.al