Në një skanim që i ka bërë situatës së krimit të organizuar në vend për vitin 2023, SPAK vëren se grupet kriminale shqiptare janë të përfshira në të gjitha llojet e veprave penale që nga trafiku i drogës, deri tek vrasjet dhe rrëmbimet.
Sipas raportit që SPAK ka dorëzuar në kuvend, grupet kriminale shqiptare kanë një anëtarësi mesatare e pjesëtarëve të grupit prej 15-25 personash dhe dhunën si karakteristikë përbashkuese.
Kryesisht dhuna përdoret nga grupe me strukturë hierarkike, që bazohen në lidhje gjaku dhe familjare, dhe që janë në konflikt për kontroll territori ose konkurrencë për tregje kriminale.
Grupet shqiptare të cilat e kanë këtë veçori, janë kryesisht grupe, të cilët kanë aktivitet të konsoliduar në një territor të caktuar, por të cilat kanë gjithashtu shtrirje dhe aktivitet kriminal edhe në tregjet kriminale ndërkombëtare ku bashkëpunojnë edhe më grupe të tjera për shërbime të cilat nuk mund të mbulohen prej tyre.
SPAK nënvizon faktin se ka bashkëpunim të grupeve kriminale edhe me oficerët e policisë së shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar, si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë luajtur role të ndryshme, duke filluar që nga dekonspirimi i operacioneve policore, njoftimi për personat kundërshtar të vënë në shënjestër nga grupet kriminale, dhënie informacioni për individë të ndryshëm, dhe aktivitetet të tjera në pengimin e drejtësisë.
Një karakteristikë shqetësuese është dhe përfshirja e personave kyç në jetën komunitare, siç janë kryepleqtë, që janë përfshirë qoftë drejtpërdrejt në aktivitete kriminale ose në mënyrë indirekte duke shpërdoruar detyrën ose duke mos kallëzuar krimin.
Shihet një tendencë në rritje e angazhimit të femrave në funksione të rëndësishme për grupet kriminale. Disa nga rolet më tipike të evidentuara në organizatat kriminale, të cilat merren me trafikun e narkotikëve, janë ato në administrimin e të ardhurave dhe mbikëqyrja e transferimit fizik dhe nëpërmjet institucioneve bankare të parave.
Kryesisht femrat të cilat luajnë këto role, janë bashkëjetuese të krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm të organizatës kriminale. Format e sofistikuara të vrasjeve, duke shmangur lënien e gjurmëve janë një tjetër karakteristikë e grupeve kriminale-thotë spak. Tashmë janë evidentuar grupe kriminale të specializuara në vrasjet me pagesë.
Vihet re gjithashtu, përdorimi gjithnjë e më në rritje i formave të koduara të komunikimit duke përdorur aplikacione të ndryshme dhe aparate telefonike të specializuara për të tilla komunikime.
SPAK raporton se analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një realitet për tu shqetësuar. Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave. Trafiku i narkotikëve është një problem i dukshëm në rrethet e Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Kurbinit. Në disa qytete si, Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë.
Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë vënë re më shumë në qytete si, Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Këto vepra penale janë tregues i një tendence në rritje të dhunës dhe kriminalitetit në këto zona.