Kryetarja e Komisionit Hetimor për kontratat koncesionare në Shëndetësi, Albana Vokshi, është shprehur se pavarësisht se mazhoranca nuk merr pjesë në mbledhje, punimet do të vijojnë.
Vokshi tha se më shumë se 40 shkresa do t’u dërgohen institucioneve për informacion. Ajo u bëri apel institucioneve të përgjigjen pasi të marrin shkresat dhe të mos bien pre e presioneve.
Gjithashtu bëri me dije se mbledhja e radhës do të zhvillohet të martën, ora 10:30.
“Për të mos pritur deputetët e PS ne kemi firmosur 40 a më shumë shkresa dhe do t’i kërkojmë Kuvendit që tua adresojë institucioneve të ndryshme. Do t’i kërkoja institucioneve që në momentin që marrin shkresa, të kthejnë përgjigje, dhe të mos bien pre e presionit, por të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj skeme korruptive.
I jemi drejtuar Kryeministrisë me një shkresë, KLSH me dy shkresa për auditimet, Ministrisë së Financave dhe asaj të Shëndetësisë, për paketën e dokumenteve që disponojnë.
Gjithashtu i jemi adresuar, ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiut dhe Drejtorit të Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor përsa i përket fondeve dhe se ku gjendet baza e të dhënave dhe laboratorët e përcaktuar për Check-Up, se ku janë ndërtuar”, tha Vokshi.