Zbardhen detaje rreth të arrestuarve në lidhje me trafikun e armëve nga Shkodra drejt Tiranës.
Në mesin e 5 të arrestuarve është dhe një vajzë, D.H., e cila dyshohet të jetë ish-efektive e Policisë së Burgjeve.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Repishti” janë vënë në pranga 5 të rinj mes të cilëve edhe ish-efektivja e Policisë së Burgjeve, të cilët tentuan të transportonin 9 armë zjarri nga Shkodra drejt Tiranës.
Si rezultat i operacionit, në një parking në Rrugën e Rinasit janë kapur dhe arrestuar të rinjtë: S. H., 22 vjeç, R. N., 18 vjeç, D. H., 22 vjeçe (efektive e Policisë së Burgjeve), D. H. 18 vjeç, dhe M. H., 26 vjeç, të gjithë banues në Malësi të Madhe.
Mësohet se policia kishte marrë informacion për grupin kriminal që do të vinte nga Shkodra për të shitur armët në Tiranë. Menjëherë pas kësaj, organizuan operacionin për kapjen e tyre në kushtet e flagrancës.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “BMW” me drejtues 26-vjeçarin me inicilale M. H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe në një valixhe në bagazh, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 armë zjarri (4 automatikë dhe 5 pushkë) me krëhër e municion luftarak.
5 personat e arrestuar po lëviznin me dy mjete. Në të parin ishin dy persona që kishin rol kqyrjen e rrugës dhe lëvizje të patrullave të policisë. Në mjetin e dytë ishin 3 persona të tjerë, në bagazhin e të cilit u gjetën dhe sekuestruan 9 armët.
Armët vinin nga zona veriore të Shkodrës dhe ishin destinuar të shiteshin te grupet kriminale me bazë në Tiranë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.