Teksa në Xhibuti i fshinë të gjitha materialet filmike, në Asmara, kryeqytetin e Eritreas, udhëtimi i Blendi Fevziut pati kufizime të mëdha lidhur me komunikimin.
Si fillim, gazetari tregon për “Rudina” në Tv Klan se këshillat e para që i dhanë ishte të mos fliste për lidhje me Amerikën apo të thoshte që ishte gazetar.
“Në Asmara pata historinë më të bukur sepse personi që më kishte nxjerrë, që më kishte rregulluar gjithçka, në momentin që pata probleme në Xhibuti, u futa të shihja çfarë problemesh kisha me Eritrean dhe pyeta një mikun tim, një person shumë i njohur që ka qenë dhe më tha “e para s’duhet të thuash që ke ndonjë njohje me amerikanët ose ndonjë lodhje me Amerikën dhe e dyta s’duhet të thuash kurrë që je gazetar se do kesh probleme të mëdha”, tha ai.
Ndryshe nga Korea e Veriut e cila ka një rrjet të brendshëm dhe lejon hyrjen e disa mediave prestigjioze, Eritrea është tërësisht e izoluar.
Bashkë me Turkmenistanin, këto tre vende janë tre më të izoluarat në botë. Udhëtimi i Fevziut vijoi në kërkim të një mënyre për të komunikuar me familjen dhe duke dëgjuar fakte të habitshme rreth kryeqytetit të një prej vendeve më të izoluara të botës.
Rudina Magjistari: Google.
“Nuk pyeta, por me siguri nuk lejohej edhe Google. I thashë po të bëj një telefonatë? “S’lejohen telefonatat me jashtë, janë të ndaluara telefonatat me jashtë”. Në hotel i thashë mund të paguaj me kartë krediti? “Jo”, tha, “nuk ekzistojnë kartat e kreditit, nuk njihen, nuk kemi sistem, ne nuk jemi në sistemin ndërkombëtar”, tha “jemi sistem i izoluar më vete”. Ngela. I thashë po për të udhëtuar? Tha “jo s’udhëtojmë dot, s’kemi pasaporta”. Po pse s’keni pasaporta? Tha “se jemi në luftë prej 30 vitesh me Etiopinë dhe po të plasë lufta, mos të na gjejë jashtë”.
S’kishin semaforë. Semaforët e fundit ishin vendosur nga etiopianët në vitet ‘80 dhe kishin ngelur nja tre relike. I thashë po semaforët ç’keni, pse? Tha që “shoferët të jenë më të përgjegjshëm, nuk vëmë semaforë”, në fakt nuk i mirëmbanin dot, ishin prishur semaforët e vjetër etiopianë. Shkova në hotel, në hotel ditën e parë ishin dy klientë, ditën e dytë isha vetëm unë./tvklan