Konferenca e Kryetarëve është mbledhur sot nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla për të arritur një kompromis mes PS-së dhe PD-së për të rikthyer normalitetin në Kuvend dhe komisionet parlamentare.
Sipas Klan News, mazhoranca ka pranuar 2 komisione hetimore parlamentare, konkretisht për sistemin TIMS dhe atë për Konçensionet në Shëndetësi, ku përfshihet ai i “Sterilizimit” dhe “CheckUp”. Nga 8 komisione që janë propozuar është dakordësuar të rishihet objekti i hetimit për këto dy komisione.
Partia Demokratike, në mbledhjen e zhvilluar në selinë blu, autorizoi kreun e grupit parlamentar Gazment Bardhi për të marrë pjesë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ku është përballë socialistit Bledi Çuçi me ndërmjetësimin e kryeparlamentares Nikolla.
Dy kryetarët e grupeve parlamentare, Bardhi dhe Çuçi, kanë zhvilluar diskutime prej mëse dy javësh për arritjen e një konsensusi.