Princ Leka dhe Elia Zaharia, pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri pasditen e djeshme.
Në media është publikuar edhe një video ku shihet Princ Leka dhe Elia Zaharia mjaft të tensionuar. Zaharia e akuzon Princin se ka dhunuar babin e saj dhe mes të tjerash ajo thotë se ai ka mashtruar popullin shqiptar pasi është i pashkolluar dhe ka përfunduar vetëm 4 klasë shkollë.
Nga dëshmitë e dhëna në polici mësohet se ngjarja ka nisur kur Princ Leka ka shkuar të takojë të bijën në shtëpinë e tij, ku jeton bashkë me të ëmën, Elia Zaharia.
Siç rrëfen Princ Leka në dëshminë e tij, në ato momente vajza e mitur ka qenë me Gjergj Zaharinë, ish-vjehrri i tij, i cili po kujdesej për mbesën, pasi Elia nuk ndodhej në banesë.
Këtë takim të dy e përshkruajnë të dhunshëm, teksa Princi pretendon se është dhunuar nga Gjergj Zaharia, ndërsa ky i fundit ka thënë se është i moshuar dhe s’mund të dhunojë askënd.
Dëshmia e plotë e Princ Lekës:
“Ka qenë në ora 15:20 minuta në banesën time në rrugën “Murat Toptani” rezidenca familjes mbretërore Nr.6, Tirane për të takuar vajzën time të moshës 3-vjeçare, pasi me ish-bashkëshorten shtetasen Elia Zogu jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me Shefin e administratës së Oborrit shtetasin Syl Mulosmanaj të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen.
Më pas unë i kam kërkuar Sylës që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten.
Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylën edhe kam gjetur vajzën time të vogël Geraldina Zogu e moshës 3-vjeç e cila ka qene ne shoqërinë e gjyshit të saj babit të ish-bashkëshortes shtetasit Gjergj Zaharia.
Në këtë momente unë kam përqafuar vajzën time edhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua.
Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendoj e kërcënojë sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën.
Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur.”
Por nga ana e tij, Gjergj Zaharia pretendon të kundërtën duke u shprehur se ai është i moshuar dhe nuk qëndron dot në këmbë, kështu nuk ka mundësi që të dhunojë Princin e cili është 2 metra i gjatë.
Dëshmia e Gjergj Zaharisë
“Princi ishte i dhunshëm ndaj meje dhe më ka folur me një gjuhë të ashpër. Nuk e kam dhunuar, vetëm jam mbrojtur. Unë jam 70 e ca kusur vjeç dhe nuk qëndroj dot në këmbët e mia, jo më të godas me shkelma princin që është 2 metra i gjatë”.
Pas këtij episodi të dy janë paraqitur në polici, ku u është bërë akt ekspertimi mjekoligjor dhe i janë drejtuar gjykatës për urdhër mbrojtje. Pas kësaj, edhe Elia i është drejtuar komisariatit me pretendime për dhunë nga ish-bashkëshorti.