Kryeministri, Edi Rama, së bashku me kryetarin e Bashkisë Elbasan, këtë të shtunë kanë inspektuar kantierin e Automotoparkut në qytetin e Elbasanit, ku po ndërtohet pista për zhvillimin e sportve automotoristike.
Rama u shpreh se punimet duhet të ecin me ritme të larta pasi në vitin 2027, sipas tij, aty do të zhvillohet gara e parë e Formula 1.
Sipas kreut të qeverisë duhet bërë paralelisht një projekt edhe për të gjithë pjesën rreth e rrotull pasi janë shumë të rëndësishme për imazhin.
“Duhet me pas parasysh, circuiti Formula Uno, që nëse ne do ta kemi gati në 2027 për garën e parë, duhet që ne nga ana jonë ta shohim jo vetëm nga pikëpamja teknike që ka vetë circuiti, por edhe e peizazhit sepse është një promovim shumë i madh për Shqipërinë. Duhet bërë paralelisht një projekt edhe për të gjithë pjesën rreth e rrotull, pasi janë shumë të rëndësishme për imazhin. Duhet krijuar një pamje që të jetë e gjitha një pamje e një vendi tërheqës. Ajo sjell 50 mijë deri në 100 mijë njerëz që e ndjekin si spektatorë, duhet pasur parasysh që të gjitha segmentet nga vihet të jenë me standarde shumë të larta.
Ky është një projekt i klasit botëror, në të gjithë kuptimin. Është fantastike, unike, si në Toskanë. Duhet të ecim shumë fortë që në vitin 2026 të mbarojë ky projekt”.
Po ashtu, automotoparku do të ketë edhe muzeun RETRO, akademi motosporti dhe akademi të edukimit mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë jashtë rruge dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra-të-lehta.