Mali i Zi po vazhdon rrugëtimin politik në dy kahe të ndryshme që sipas analistëve dhe opozitës mund të shkaktojë fërkime të rrezikshme politike në një vend shumetnik.
Kryeministri Milojko Spajiç këtë javë mori mbështetje të dukshme nga Brukseli, ku zyrtarët europian përshëndetën progresin e arritur në Mal të Zi në vetëm tre muajt e qeverisjes së tij.
“Ata janë të kënaqur me përparimin e bërë në Mal të Zi në vetëm tre muaj. Thonë se ndjesia subjektive është sikur kanë kaluar tre vjet, jo tre muaj, siç është bërë në kohërat e shkuara,” tha Spajiç.
Ai theksoi se projektet që po realizohen janë shumë të rëndësishme për integrimin e ekonomisë malazeze në ekonominë evropiane.
Në këtë kuadër edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përgëzuar Malin e Zi për progresin e arritur në fushën e integrimeve evropiane në 100 ditët e para të qeverisë.
Zonja Von der Leyen theksoi se “janë arritur rezultate të mëdha dhe pas 100 ditësh është e mrekullueshme të shohësh Malin e Zi të fokusuar plotësisht në qëllimin e tij të pranimit, duke bërë përparim të mirë”.
Analistët dhe opozita ndërkaq vlerësojnë se përkundër përpjekjeve të qeverisë malazeze ka synime nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse që ta ndalojnë Malin e Zi në rrugën evroatlantike.
Analisti Aleksandar Sasha Zekoviç thotë: “në opinioni malazez është evidente që ka dallime të theksuara për shumë çështje jetike siç është lufta në Ukrainë, dallimet në strukturën etnike, ideologjike, fetare dhe përpjekja e forcave të brendshme pro-serbe dhe pro-ruse për ta ndaluar Malin e Zi në rrugën evroatlantike”.
Në këtë kuadër partitë opozitare kanë kritikuar kryetarin e parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiç për qëndrimin e tij pro-serb dhe pro-rus duke mos respektuar kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Për veprimet e zotit Mandiç opozita, ngriti kallëzim penal me dyshimin se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të postit të kryetarit. Kallëzimi penal është nënshkruar nga katër parti opozitare, të cilët në një konferencë me gazetarë thanë se kryetari i parlamentit në kabinetin e tij vendos simbole dhe flamurin e shtetit serb.
“Duke shfaqur flamurin e një shteti të huaj, që është simbol kombëtar i vetëm një kombi, ka kryer veprën penale të diskriminimit. Është e qartë për ne se Mandiç ka një rol politik për të ndryshuar karakterin e vendit dhe se ai dëshiron të prezantojë zyrtarisht Malin e Zi në botën serbe,” tha përfaqësuesi i opozitës malazeze, Andrija Nikoliç./VOA