Antony Blinken ka reaguar për vdekjen e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny. Nga Mynihu ku ndodhet për Konferencën e Sigurisë, Blinken u pyet dhe dha komentin e tij për këtë ngjarje tronditëse. Ai fajësoi regjimin e Putinit duke thënë se kjo vetëm tregon dobësinë e sistemit që presidenti rus ka ndërtuar.
“Para së gjithash, nëse këto raportime janë të vërteta, zemrat tona janë me gruan dhe familjen e tij”, thotë ai në konferencën e sigurisë në Mynih.
“Përtej kësaj, vdekja e tij në një burg në Rusi dhe izolimi dhe frika ndaj një njeriu të vetëm shënjon dobësinë dhe kalbësinë e sistemit që Putin ka ndërtuar. Rusia është përgjegjëse për këtë”.
I pyetur për vdekjen e Navalny-t këtë mëngjes, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan thotë se SHBA-të po përpiqen të konfirmojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur.
“Është një tragjedi e tmerrshme dhe duke pasur parasysh historinë e gjatë dhe të keqe të qeverisë ruse për të dëmtuar kundërshtarët e saj, ajo ngre pyetje reale dhe të dukshme për atë që ndodhi,” i tha ai transmetuesit amerikan.
“Por unë do të ndaloj komente të mëtejshme për të derisa të mësojmë më shumë. Dhe ne do të përcaktojmë prej andej se çfarë – çfarë do të vijë më pas.”
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen i bën jehonë kësaj përgjigjeje. Në konferencën e sigurisë në Mynih, ajo i tha BBC-së: “Ne presim që familja ta konfirmojë atë përpara se të japim deklaratën tonë”.