Gjatë një viti në vendin tonë diagnostikohen rreth 6500 pacientë me kancer. Sëmudjet tumorale janë një ndër vrasësit kryesor të shqiptarëve, sipas të dhënave të INSTAT vdekjet nga “Tumoret” zënë rreth 16 % të totalit të vdekjeve.
“Nga pikëpamja e përqindjes në totalin e vdekjeve kanceret ende zënë një proporcion të vogël në Shqipëri, krahasur me vendet e industrializura në Perëndim ku kanceri zë mbi 20%, 21-25% të totalit të vdekjeve. Në Shqipëri kanë qenë 16, 17%. Kanceret do të vazhdojnë të jenë problemi më i madh i këtij vendi, nuk ka arsye të besojmë se ata do të zhduken kollaj.”
Kanceret me numër më të shpeshtë të rasteve të reja të diagnostikuara në Shqipëri janë kanceri i mushkërive dhe ai i gjirit të cilët përbëjnë mbi 35% të gjitha kancereve të reja të raportuara nga sistemi shëndetësor.
“Kanceri i mushkërive mbetet kanceri kryesor. Në Shqipëri ka disa shenja të fillimit të rënies së vdekshmërisë, por ai mbetet në distancë nga kanceret e tjera. Kanceri i gjirit është kanceri i dytë më i rëndësishëm. Risku është shumë i lartë. Kanceri i tretë në Shqipëri është kanceri i zorrës së trashë, kanceri i stomakut dhe po fillojnë të rriten edhe kanceret e tjerë si kanceri i prostatës që është një kancer i lidhur me ushqimin e popullatës. Kanceret e lëkurës janë shumë të shpeshtë, por për fat shumica më e madhe e tyre mund të kontrollohen nga fazat e para nga dermatologët mes tyre melanoma është një kancer shumë i rrezikshëm i cili ka shenja të rritjes së tij në Shqipëri nga një pozicion shumë i ulët.”
Stili i jetesës është një ndër faktorët kryesor të përhapjes së sëmundjeve tumorale në vend.
“Ushqimi mbetet një bllok i madh faktorësh risku, obeziteti me të cilat ne duhet të fillojmë të merremi seriozisht. Në planet tona strategjike nuk parashikojmë brenda 5 vitesh të kemi ulje të obezitetit, por të paktën ta frenojmë rritjen që vihet re në Shqipëri dhe me shumë gjasë kjo do të përkthehet edhe në parametra shëndetësore.”
Sipas të dhënave të OBSH, 9.6 milionë njërëz vdesin çdo vit nga sëmundjet tumorale, dhe ky numër parashikohet të dyfishohet në vitin 2030 për shkak dhe të stilit të jetesës, por edhe plakjes së popullsisë./ Klan News