Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme pas intervistës së Arben Ahmetajt, teksa Luçiano Boçi tha se ish-krahu i djathtë i Edi Ramës vërtetoi akuzat e opozitës.
Gjatë fjalës së tij, Boçi tha se SPAK-u i partisë po bën koka turku në emër të Ramës dhe Veliajt.
Ai theksoi se Ahmetaj faktoi se cilët janë mbrojtësit kryesorë të vjedhjes së shekullit.
“Dje shqiptarët kanë dëgjuar nga vetë ish-krahu i djathtë i Edi Ramës se koka i aferës korruptive të inceneratorëve është vetë Edi Rama, ndërsa pronari faktik i inceneratorit të Tiranës është Erion Veliaj, duke vërtetuar kështu akuzat e ngritura me fakte nga Partia Demokratike.
Arben Ahmetaj faktoi se mbrojtësit kryesorë të vjedhjes së shekullit janë Altin Dumani, Arben Kraja dhe skapistët e tjerë, të cilët të korruptuar nga Rama-Veliaj shkartisen dosjen e vjedhjes së shekullit dhe nuk hetojne procedurën antiligjore te prokurimit të firmosur nga Edi Rama dhe Erion Veliaj por bëjnë koka turku sipas urdhrit të Rama-Veliaj.
Arben Ahmetaj dëshmoi mbrëmë se Mirel Mertiri nuk është pronar i djegësit të Tiranës, por është Erion Veliaj dhe se për zhdukjen e 130 milionë eurove për inceneratorin e Tiranës, Dumani Kraja dhe organizata e tyre kriminale nuk hetojnë, sepse ato para janë vjedhë zhdukur nga Rama-Veliaj.
Krahas kësaj Ahmetaj denoncoi kapjen politike të Altin Dumanit, Arben Krajes dhe SPAK si dhe përdorimin e tij prej Ramës, si marionetë e bindur politike me qëllim për të stisur hetime e akuza, për të arrestuar e burgosur, shantazhuar e dënuar, kundërshtarët e tij politikë brenda PS, sikurse armiqtë politikë të opozitës, apo këdo që synon të thotë të vërtetën për bandën e tij narko-politike.
Pasi Dumani-Kraja u thanë shqiptarëve se nuk mund të sekuestrohet inceneratori, sepse na hedhin në Arbitrazh, pasi deklaroi se nuk dihet kush jane pronaret, sikur të ishte një shtet jashtë planetit, deri sot nga 130 milionë para të vjedhura për ndërtimin e inceneratorit që nuk ekziston, nuk ka gjetur apo konfiskuar një qindarkë të vetme, vetëm se ato janë paratë e padronëve të tij.
Metodat e përdorura nga SPAK nën drejtimin e Partisë në pushtet, u demaskuan si metoda staliniste që nuk respektojnë asnjë ligj, të denja për hetuesinë e periudhës së diktaturës komuniste, duke e shndërruar atë në një aparat shtypës politik që vetëm drejtësi nuk bën.
Si ish ministër i qeverisë socialiste, qeveri që i bie gjoksit për reformën në drejtësi, Ahmetaj rrëzoi dhe iluzionet më të fundit të mbetura në këmbë ende për vetingun dhe rezultatet e kësaj reforme, e cila ka shendruar drejtesine ne njernen prej degve me te korruptuara te egzekutivit qe mbjell vetëm padrejtësi.
Ai rikonfirmoi lidhjet okulte politikë-media-drejtësi-krim, të cilat orientojnë, frymëzojnë dhe mbrojnë korrupsionin marramendës të Edi Ramës
Dje ai vërtetoi me zërin e një socialisti se vendi udhëhiqet nga një bandë narko-politike që kanabizoi vendin, e shpopulloi atë e korruptoi fund e krye dhe sot kontrollon çdo pushtet e institucion, që grabit milionat e pasurisë publike, që synon të eleminojë politikisht e madje deri fizikisht ata që thonë të vërtetën, pavarësisht krahut politik.
Prapa fasadave e fanfarave, fjalimeve figurative e dirigjimeve qesharake të Edi Ramës, shqiptarët kuptuan dhe njëherë se fshihen intriga, poshtërsi, ngulje thikash, vrasje politike e jo politike, ndarje parash e interesash të nivelit të basifondeve të botës së krimit.
Shqiptarët u njohën dhe njeherë, siç jua a ka bërë të ditur Partia Demokratike, se në krye të vendit është një grup i strukturuar kriminal që duhet të përfundojë në honet e burgjeve dhe honet e historisë.
Ne nuk shfajësojmë Ahmetajn, por e inkurajojmë atë të kontribuojë për drejtësinë.
Shqiptarët nga dje janë të bindur gjithnjë e më shumë se vendi ka rreshqitur drejt një autokracie kriminale që tenton të konfirmojë sundimin e saj duke kërkuar të eleminojë çdo opozitë.
Vendi është në rrezik!
Qytetarët duhet të reagojnë!
Partia Demokratike i bën thirrje çdo demokrati, çdo qytetari, çdo të riu e të reje që të ngrihen në këmbë.
Të nisim aksionin politik të bashkuar për të shpëtuar vendin dhe demokracinë.
Është koha e sakrificave!
O sot o kurrë!”, tha Boçi./Opinion.al