Presioni i BE, dhe mundësia e ndëshkimeve ekonomike duket se e kanë bindur kryeministrin hungarez Viktor Orban të tërheqë veton ndaj ndihmave për Ukrainën. Pasi bllokoi paketën prej 50 miliardë euro në muajin dhjetor, Orban ju bashkua 26 anëtarëve të tjerë në dhënien e dritës jeshile gjatë samitit të së enjtes…
”Kemi një marrëveshje”, njoftoi Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në rrjetin social Twitter. Sipas tij, ujdia zhbllokon financime të qëndrueshme e afatgjata për Kievin.
Presidentja e KE, Ursula Von Der Leyen dhe ajo e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e cilësuan këtë si një ditë të mirë për Evropën.
“Për javë me radhë i kemi mbajtur me frymëz pezull miqtë tanë ukrainas nëse do të arrinim ose jo një marrëveshje. Fakti që patëm sukses në këtë drejtim i detyrohet punës së palodhur të liderëve tanë.”, u shpreh Roberta Metsola.
Burime diplomatike thonë për agjencinë e lajmeve Reuters se marrëveshja e re përfshirë një debat vjetor lidhur me paketën e ndihmave, dhe opsionin për ta rishikuar atë pas dy vitesh, nëse do të jetë nevoja. Ky hap prapa i Orban erdhi mes zërave se BE ishte e vendosur të zhbllokonte ndihmat me çdo kusht, me ose pa miratimin e tij.
Teksa shumë liderë po e humbitnin durimin po përflitej mundësia e veprimeve ndëshkuese që do të shënjestronin ekonominë e Budapestit. Brukseli nuk mund të priste më pasi Kievit rrezikonte të mbetej pa para rreth marsit, në pamundësi për të vijuar funksionet normale shtetërore.
Samiti mbahet nën sfondin e protestave disa javore të fermerëve që kanë prekur shumicën e vendeve europiane. Fermerët e zemëruar u vunë zjarrin gomave të automjeteve e objekteve të tjera në protestën e mbajtur para Parlamentit Europian të enjten, mes pretendimeve se nuk paguhen mjaftueshëm, se mbyten nga taksat dhe rregullat e gjelbra e se përballen me konkurrencë të padrejtë nga jashtë.