Kate Middleton, Princesha e Uellsit, ka dalë nga spitali pas dy javësh pasi iu nënshtrua një operacioni abdominal.
Në një deklaratë nga Kensington Palace, mësohet se princesha tani është kthyer në shtëpinë e saj në Windsor, ndërsa gjendja e saj shëndetësore është duke u përmirësuar.
“Princesha e Uellsit është kthyer në shtëpi në Windsor për të vazhduar rikuperimin e saj nga operacioni. Ajo po bën përparim të mirë. Princi dhe Princesha dëshirojnë të thonë një falënderim të madh për të gjithë ekipin në Klinikën e Londrës, veçanërisht stafin e përkushtuar infermieror, për kujdesin që kanë ofruar. Familja Uells vazhdon të jetë mirënjohëse për urimet që kanë marrë nga e gjithë bota”, thuhet në deklaratë.
Princesha ka dalë nga spitali pa bërë paraqitje publike për mediat. Ndërkohë ende nuk është zbuluar saktësisht se çfarë ndërhyrje ka kryer ajo, por princesha pritet të ketë nevojë për disa muaj rikuperim.
Princesha e Uellsit bëri paraqitjen e saj të fundit publike në Krishtlindje, kur u bashkua me anëtarët e familjes mbretërore për traditën e tyre vjetore të ecjes në kishë dhe përshëndetjes së publikut të mbledhur jashtë.