Një 41-vjeçar, pjestar i një grupi kriminal që shfrytëzonte për prostitucion shtetase të huaja gjatë periudhës 2008-2012 në Milano, është arrestuar në Rinas.
Policia bën me dije se 41-vjeçari u ndalua me qëllim ekstradimin në Itali, ku është dënuar me mbi 4 vjet burgim, për këtë veprimtari kriminale.
Në kuadër të operacionit të koduar “Identitetet”, falë bashkëpunimit me partnerët italianë, u bë i mundur arrestimi i shqiptarit me 5 emra Auron Hashani alias Auron Samurri alias Auron Ajdinaj alias Avni Ajdinaj alias Elvis Ajdinaj.
Gjykata e Milanos e ka dënuar 41-vjeçarin, me 4 vjet, 2 muaj e 26 ditë burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në kuadër të grupit kriminal, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka shfrytëzuar për prostitucion në Milano, 2 shtetase të huaja.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali, ku i duhet të vuajë dhe 3 vjet, 11 muaj e 11 ditë burgim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.